TOEFL iBT – Provimi

Për të gjithë ju që thjesht keni dëgjuar emrin e TOEFL-it, por që nuk e njihni si provim, më poshtë do të gjeni një përshkrim të asaj çfarë ndodh ditën e provimit. Në përgjithësi, provimi i TOEFL-it zhvillohet në fundjavë ose ditën e premte. Rekomandohet që të shkohet rreth 30 minuta  më parë dhe një këshillë personale: hani e pini para se të shkoni në provim; do të qëndroni brenda për rreth katër orë.

Para Provimit

Sikurse e përmendëm më sipër, rekomandohet të shkohet rreth 30 minuta, ose të paktën 15 minuta më përpara orarit në të cilin jeni rregjistruar. Qendra e testimit do  i sistemojë të gjithë studentët në një klasë për t’ju shpjeguar rregullat e provimit, sidomos në lidhje me kopjimin dhe më pas do të kërkoj të dhënat tuaja (emër, mbiemër) si dhe të dhënat e rregjistrimit: username & password, të cilat i keni mësuar në momentin që jeni rregjistruar. Pas kësaj, do ju jepet një formular për t’u plotësuar. Mos shkruani para se t’ju kërkohet kjo gjë. 🙂 Pastaj një nga një do të thirreni për bërjen e fotos identifikuese, që në disa raste bëhet në një prej zyrave të qendrës nëpërmejt një  webcamer-e. Si përfundim, do të drejtoheni në laboratorin ku zhvillohet testimi, i cili nis fiks në orar, ose 10 minuta me vonesë.

Provimi i TOEFL-it

Në provim

Në sallë nuk  keni asgjë tjetër përveç kompjuterit e pajisjeve të tij, një lapsi dhe disa fletëve formati. Asgjë tjetër nuk lejohet me vete. Pasi uleni në kompjuterin tuaj, gjëja e parë është kontrollimi i kufjeve dhe mikrofoni; asistentja do ju ndihmojë për këtë. Pjesa e parë e provimit është Të Lexuarit (Reading) e cila në shumë prej rasteve përbëhet nga 3 tekste me rreth 700 fjalë secili dhe zgjat 60 minuta. Mos e humbisni durimin, edhe pse nga fundi mund të bëhet pak e lodhshme. Më pas vijon Të Dëgjuarit (Listening), pjesë e cila sikurse Të Lexuarit zgjat, në më të shumtën e rasteve, 60 minuta. Listening përbëhet nga 3 seksione, secili prej tyre përmban 3 pjesë. Shkalla e vështirësisë nga pjesa në pjesë është në rritje. Por mos u frigoni, është më shplodhës dhe më pak i mërzitshëm se Të Lexuarit. Gjithashtu, cilësia e dëgjimit është shumë e lartë dhe kufjet mëse të mëdhaja, duke mundësuar kështu përqëndrim të plotë në provim.

Fine Primo Tempo

10 minuta pushim

Pjesa e Dytë

Në momentin që riktheheni në  sallë, do zhvilloni si fillim pjesën e Të Folur-it (Speaking). Kini kujdes të mos ndikoheni nga ndonjë prej pjesëmarrësve të tjerë në provim, pasi pavarësisht madhësisë së kufjeve dhe parandalimit që ato i bëjnë zhurmës, sërish mund t’i dëgjoni bashkëvuajtësit tuaj. Ndaj, mësoni të mos ja vini veshin. Ju duhet shumë, shumë përqëndrim. Pas 20 minutave që do ju marrë Speaking, vijon pjesa e fundit: Të Shkruarit (Writing). Të shkruarit zgjat 5o minuta dhe është i ndarë në dy pjesë: pjesa e integruar (ku ndërthuret leximi i një teksti, dëgjimi i një leksioni dhe të shkruarit e një artikulli mbi leximin dhe dëgjimin) dhe eseja. Tek eseja do të keni 30 minuta në dispozicion; relativisht kohë e mjaftueshme sipas shumë studentëve tanë.

Fund