TOEFL iBT apo IELTS?

Sot njihen jo pak teste të cilët përcaktojnë nivelin e aftësive gjuhësore në gjuhën angleze, ku ndër më të njohurit prej tyre janë IELTS dhe TOEFL iBT. Nëse dëshironi të zgjidhni më të përshatshmin për veten tuaj, atëhere duhet të mësoni më shumë për secilin prej tyre.
Ndryshimi kryesor midis këtyre dy provimeve ndërkombëtare është se TOEFL-I i ofron audiot në anglishten amerikane, ndërsa IELTS-i në atë britanike. Edhe pse ndryshimet midis dy thekseve nuk janë domethënëse, disa aspekte fonetikore ose gramatikore mund të jenë ndonjëherë të vështira, madje edhe për ata që kanë aftësi shumë të mira gjuhësore.
Secili nga testet është i përbërë nga katër pjesë: të lexuarit, të degjuarit, të folurit, të shkruarit.
Në të dy këto provime nuk kemi një vlerësim të izoluar të rregullave gramatikore. Gramatika vlerësohet në përgjigjet e dhëna në seksionin e të folurit dhe të shkruarit.
Një ndryshim shumë i rëndësishëm mes këtyre dy provimeve është se TOEFL iBT është një test i ofruar në versionin kompjuterik, ndërkohë që IELTS ofrohet i printuar në letër. Pjesa e të folurit në TOEFL regjistrohet nëpërmjet një mikrofoni. Në provimin e TOEFL-it nuk do të jeni vetëm në sallë dhe, veç faktit që duhet t’i përgjigjeni ekranit të kompjuterit, disa studentë vihen në siklet dhe nga prania sado jo aktive e kandidatëve të tjerë. Në IELTS, të folurit përfshin kontaktin personal me testuesin. Për shumë studentë, kontakti i drejtëpërdrejtë me testuesin është ndihmues në të shprehurit e aftësive komunikative.
Një tjetër ndryshim mes provimit të TOEFL-it dhe atij të IELTS-it është në seksionin e dëgjimit. Në IELTS gjendet katër biseda apo monologje të regjistruara. Në pjesën dëgjimore të TOEFL-it do të hasni leksione universitare dhe diskutime mes studentësh në një kontekst akademik. Për disa kandidatë, leksionet që gjenden në TOEFL mund të jenë pak më të vështirë për t’u ndjekur. Përveç kësaj, në provimin e IELTS-it, ju keni mundësinë të shikoni menjëherë pyetjet. Ky detaj bën të mundur që kandidati të kapë informacionin e nevojshëm dhe të fiksojë ato pjesë në të cilat gjenden përgjigjet e pyetjeve. Ky mund të konsiderohet një tjetër mini-avantazh i provimit të IELTS-it.
Tani që dini pak më tepër mbi ndryshimin mes këtyre dy provimeve shumë të rëndësishme të gjuhës angleze, mund të zgjidhni atë që është më i përshtatshëm për ju, o TOEFL, o IELTS. 🙂