Etika e një shërbimi cilësor dhe me elegancë në restorante është një element tejet i rëndësishëm si për të qenë një punonjës në këto ambjente, ashtu edhe nëse je i ftuari. Edhe pse mes një kamarieri dhe nje të ftuari nuk bisedohet veçse në fjali të shkurtra, mbahet gjithë kohës një një komunikim i vazhdueshëm i cili është tejet e nevojshëm të qëndrojë në nivelin e klasit dhe elegancës që synohet në ofrimin e shërbimeve të fushës.
Pikërisht theksimi i mbajtjes së një komunikimi të tillë dhe hapat që ndiqen në çdo fazë, të komunikuara në gjuhën angleze, në funksion të njohjes me fjalorin e nevojshëm dhe përshtatur me nivelin gjuhësor të studiuar, do të ishtë tema e programit të anglishtes profesionale të mësuesve-studentë këtë herë.
Synimi i këtij aktiviteti është zotërimi i terminologjisë në fushën e shërbimit në restorante për mësuesit e shkollave profesionale të orientuar në lëndën e turizmit.
Kemi filluar me përgatitjen e tavolinës hap pas hapi, shpjegimin e detajeve, mënyrën e pozicionimit të çdo elementi të servisit dhe të mesazheve të qarta dhe të mira që ato përcjellin dhe jo të mira nësë vendosen në formën e gabuar.
Marrjen e porosisë me shumë finesë, servirjen e ushqimit në mënyrën e duhur, duke mos shqetësuar të ftuarin dhe duke ruajtur efektivitetin e shërbimit, përfshirë qasjen ndaj të ftuarve dhe mënyrën e sjelljes së pjatave dhe vendosjes në tavolinë, duke pasur parasysh dhe përmendur ndryshimet dhe ngjashmëritë e gjetura në këtë shërbim në vende si: Italia, Franca dhe Anglia, në rendin dhe rregullat që ato ndjekin.
Zgjodhëm si pikë të fundit për orën mësimore, por jo të tillë në shërbim, atë të pastrimit të tavolinës dhe sjelljen në gjendjen fillestare, duke folur për teknikën për një punë e cila vjen rrjedhshëm e pastër dhe e kënaqshme.
Gjatë dy orëve, kemi ndarë përvojat që secili mësues ka pasur në ambjente që ofrojnë shërbim cilësor, qofshin këto në vendin tonë apo në vende të tjera që kemi vizituar. Kemi diskutuar edhe në lidhje me preferencat e secilit, duke argumentuar një qëndrim të caktuar.
Pas prezantimit dhe njohjes me temat, mësuesit kanë qenë aktivë edhe në ilustrimin real të secilit hap dhe pike të përmendur.
E mbyllim mbremjen me ndjesi të mira, diskutime mbi temën si dhe qasjen e saj me atë të mësimdhënies, si ta kurojmë këtë të fundit me kujdes në secilin rast dhe kënaqësitë që gëzojmë duke qenë në këtë pozicion.
Eshtë një nga pjesët më të dashura për ne që të kemi temat e trajtuara në kontekstin e vet, si gjithmonë.