Zgjedhja e mësuesve të huaj në Smart Center është bërë kryesisht për t’i ofruar studentëve mundësinë për të mësuar anglishten e vërtetë, ashtu siç flasin anglezët a amerikanët në përditshmërinë e tyre. Nga njoftimet tona të mëparshme e keni mësuar se pjesë e stafit tonë tashmë është edhe profesor Martini. Profesor Martini është studjues i apasionuar filmash dhe për të paktën pesë vite ka qenë mësues për Film dhe Media. Nga bisedat entuziaste me studentët menduam që t’i kushtojmë një ditë të veçantë filmave dhe kulturës angleze.
Filmat ndihmojnë në zgjerimin e fjalorit. Duke e hasur një fjalë a shprehje në kontekst, bashkë me ndihmën e gjuhës trupore gjasat janë që ajo fjalë a shprehje të mbetet në mendje. Veç të mbeturit në mendjen tuaj, ndryshe nga të mësuarit e listave me fjalë të reja, këto fjalë jeni në gjendje t’i përdorni në kontekstin e duhur.
Ndër përfitimet më të mëdha të të parit të filmave është përmirësimi i aftësive dëgjimore. Duke qenë se filmat nuk janë planifikuar për shikuesit e huaj, anglishtja e tyre është e shpejtë dhe, patjetër, jo e lehtë për t’u kuptuar. Duke parë sa më tepër filma bëhet e mundur që të vritet veshi me këtë shpejtësi dhe me vrarjen e veshit, ngadalë-ngadalë vritet edhe goja duke folur shpejt. 🙂
Në filmat që profesor Martini dhe ne kemi vendosur të shohim së bashku mund të mësoni edhe për ndikimin social-kulturor të kohës së cilës këta filma ju përkasin, si psh. filmi i kësaj të premteje, An Education, i cili i referohet ndryshimeve të ndodhura në vitet gjashtëdhjetë dhe që lidhet edhe me eventin tonë më të adhshëm: British Music, pjesë e setit British Culture.