Ditën e shtunë në ambjentet e reja të Smart Center u zhvillua LPI (Linux Professional Institute) Open Day. Tre përfaqësues të LPI Albania erdhën nga Tirana për të ndarë me të interesuarit informacione mbi provimin. Rreth 15 të rinj, mësues informatike, studentë të informatikës, IT, maturantë që synojnë të studjojnë Informatikë Ekonomike, morën pjesë në prezantim.
Të rinjtë mësuan detajet mbi arsyet përse duhen kryer provimet e Linux Professional Institute, përfitimet e vërteta të një certifikate të njohur në të gjithë botën, mundësuar nga komuniteti më i madh i dijeve të hapura, materialet ndihmëse për përgatitjen e kandidatëve për provim, proçedurat e registrimit dhe krijimin sa më parë të një exam lab-i në Vlorë.
LPI ofrohet nga Open Labs Albania, një organizatë shqiptare jo qeveritare, jo fitimprurëse, që promovon inisiativa free libre open source që prej 2012. Open Labs organizon aktivitete të përjavshme të cilët perfshijnë workshops, projekte, takime dhe organizimin e OSCAL, konferencës së përvitshme për teknologjinë open source. Linux, Wikipedia, LibreOffice, Mozilla dhe WordPress janë vetëm disa prej projekteve që kanë pasur pasionin dhe e energjitë e organizatorëve të Open Labs.