Zbulojmë Gjirokastrën

Të mësuarit efektiv dhe ruajtja në vëmedjen e secilit të përvojave të paharrueshme e gëzon së miri  rëndësinë e duhur në mësimdhenien tonë, përherë.

Mësimi nëpërmjet vëzhgimit, kërkimit dhe prekjes nga afër të objekteve, të cilat për shkak të kohës së cilës i përkasin dhe karakteristikave që mbartin, e sjell informacionin me natyrshëm të kapshëm dhe dijen jetëgjatë të qëndrueshme.

Kjo na është një arsye fort e mirë për të vizituar qytetin e veçantë të Gjirokastrës.

Si fillim, një shëtitje njohëse përmes rrugicave karakteristike te qytetit dhe vijimi me vendndodhjen e pikave me interes, sikurse janë shtëpitë e vjetra si: Skëndulaj dhe Zekate, të cilat veçohen për arkitekturën e veçantë të stilit otoman të cilën e ruajnë prej kohës qëkurse janë ndërtuar. Bëhet  fjalë për fillimet e ndërtimit të këtij qyteti, në shekullin e katërt të erës sonë.

Më pas, në mënyrën tonë eksploruese dhe argëtuese do të ngjitemi ngadalë për në kështjellë.

Ne prekim historinë, udhëtojmë mendimin, argëtohemi dhe kapim me kamerat tona fotografi të cilat i kemi me endje përsa jemi ende duke u rritur.  Këtu, edhe një shkrepje e thjeshtë nesër do të na jetë një ngacmim mendimi dhe risjellje e përvojës prej së cilës do të nxjerrim dobi në çdo kohë.

Mësimet e mira kështu lindin dhe zhvillohen, e rriten dhe ato me ne.

Pas shijimit të ushqimit do të mundohemi ca për ta gjetur atë shtëpinë e shumë folur dhe dashur në klasat tona. Të gjithë e kemi fort përzemër shkrimtarin I. Kadare. Le ta themi se sa mirë ndihemi dhe natyrshëm na ndriçon  nje fije buzëqeshjeje prej kënaqësie a krenarie kur shpesh e sjellim pjesë të klasave tona.

Pas përpjekjeve te vockla në rrugicat paksa lozonjare, si për të na shtuar edhe më kureshtjen, apo për të na dhenë një shenjë se ajo çka po na priste do të na mbushte shpirtin, më në fund e zhbirojmë. Ndoshta edhe ne do të bëheshim poetë po të qëndronim edhe pak aty. Mund të bëhemi sa herë ushqejmë shpirtin dhe mendjen me dije dhe vlera.