Home
IELTS – Pjesa Dëgjimore

IELTS – Pjesa Dëgjimore

Numri i seksioneve: 4
Numri i pyetjeve: 40
Kohëzgjatja: 30 minuta (plus 10 minuta per transferimin e përgjigjeve)

Edhe pse i shkurtër, kjo pjesë e provimit mbetet sfiduese për shumë kandidatë. Që të arrini rezultate të dëshiruara, në këtë seksion të provimit, sikurse edhe në të tjerët, ju duhet t’i njihni specifikat e testit shumë mirë. Shpresojmë që ky përshkrim i mëposhtëm t’ju vijë sadopak në ndihmë.

Nga Fillimi

Para se të luhet materiali dëgjimor, do t’iu jepet pak kohë të lexoni pyetjet. Secili prej seksioneve dëgjohet vetëm një herë. Do të degjoni katër regjistrime të ndryshme nga njëri-tjetri. Mund të jenë thekse te ndryshme, përfshirë këtu atë britanik, amerikan, australian ose nga Zelanda e Re.

Për këto mini-tekste të dëgjuara, ju do të testoheni duke zgjedhur përgjigjen e saktë, duke rënë ose jo dakord, duke shkruar fjalën, numrin a datën e saktë. Duke qenë se pjesët dëgjimore sa do vijnë e do të vështirësohen, nuk do të rehatoheni te pjesa e parë dhe ta merrni shumë shtruar. IELTS-i është një provim akademik dhe teston se sa thellësisht e njihni ju gjuhën, ndaj termat e përdorur do të përmbajnë volum fjalori zyrtar, akademik.

Në pjesën dëgjimore mund të përfitoni ndonjë minutë nga transferimi i përgjigjeve nga testi në fletën e përgjigjeve. Do t’ju jepen 10 minuta për këtë proces dhe zakonisht ato mjaftojnë dhe teprojnë.

Kini parasysh se për të arritur suksesin në Pjesën Dëgjimore nuk do të ketë peshë vetëm aftësia për të kuptuar tekste të vështira, por afëtsia për të analizuar informacionin dhe për të zgjedhur përgjigjen e saktë.

Seksionet e Pjesës Dëgjimore

Seksioni i Parë
Në këtë regjistrim do të dëgjoni një dialog në kontekst shoqëror të përditshëm. Kjo do të thotë se mund të dëgjoni dy persona që diskutojnë me njëri-tjetrin për organizimin e një ekskursioni ose një eventi etj. Fokusi kryesor në këtë pjesë është të dëgjuarit për informacione specifike dhe faktike.

Seksioni i Dytë
Në këtë regjistrim do të dëgjoni një monolog në një kontekst të përditshëm social. Kjo do të thotë se do të dëgjoni një person të vetëm, i cili paraqet informacione për një event publik, një lloj shërbimi , etj. Gjithashtu fokusi kryesor i kësaj pjese është të dëgjuarit të informacioneve specifike, faktike.

Seksioni i Tretë
Në këtë regjistrim do të dëgjoni një dialog në kontekst akademik. Kjo do të thotë se do të dëgjoni deri në katër persona që diskutojnë me njëri-tjetrin rreth një detyre kursi ose një subjekti akademik në seminar etj. Fokusi kryesor i kësaj pjese të tretë është të dëgjuarit për informacione specifike, faktike por gjithashtu dhe për qëndrimet, opinionet personale të folësve.

Seksioni i Katërt
Në këtë regjistrim do të dëgjoni një monolog në kontekst akademik. Atëherë kjo do të thotë se do të dëgjoni një person që shpjegon një leksion, mban një fjalim rreth një çështjeje akademike. Fokusi kryesor është të dëgjuarit e ideve kryesore, informacioneve specifike, faktike, për të dalluar gjithashtu qëndrimet dhe opinonet personale të folësit.

Llojeve e ushtrimeve të mundshme:
• Përgjigjen e pyetjeve me disa alternativa
• Shkruajtjen e përgjigjeve të shkurtra për pyetje të caktuara
• Plotësimin e fjalive, shënimeve , përmbledhjeve, tabelave ose grafikëve të ndryshëm
• Klasifikimin e ideve në kategori të ndryshme
• Kombinime të ndryshme.

Disa Këshilla të Shkurtra

Përdoreni kohën zgjuar. Kur mbaron njëra pjesë dëgjimore dhe nis tjetra, midis pjesëve do të keni rreth 1 minutë kohë si për të kontrolluar përgjigjet dhe për t’i hedhur një sy të shpejtë pjesës pasuese. Duke qenë se nga kontrolli i përgjigjeve që keni dhënë më parë nuk përfitoni gjë (sepse nuk është se do ta dëgjoni tekstin sërish), është më e zgjuar që këtë një minutë ta përdorinë për t’u njohur me pyetjet e audios që pason. Në këtë mënyrë, teksa dëgjoni audion e radhës, ju do ta keni më të thjeshtë të kërkoni informacionin që ju duhet për të plotësuar ushtrimin.

Kuptoni se çfarë lloj ushtrimi duhet të plotësoni. Nëse do të jetë plotësimi i vendeve bosh, shikoni për ndonjë të dhënë tjetër. Për shembull, nëse shikoni simbolin e ndonjë monedhe (dollari a euroje), kuptohet që do dëgjoni me kujdes për shumën, për shifra. Nëse ju kërkohet të zgjidhni midis e vërtetë/e gabuar, identifikoni fjalët kyçe, idenë kryesore dhe përpiqni ta zbuloni të njëjtën gjë në audio. Mos prisni, ama, të jetë e shprehur me të njëjtat fjalë.

Ndiqni çdo udhëzim me përpikmëri. Në pyetjet ku duhet të shkruani jo më shumë se tre fjalë, nuk duhet të shkruani asnjë fjalë më tepër, ose në pyetjet ku duhet të plotësoni vendin bosh, shkruani vetëm fjalën që mungon në fletën e përgjigjeve, asnjë fjalë më tepër. Amanet drejtshkrimin! Një gabim drejtshkrimor, ju penalizon, edhe pse zgjedhja e fjalës mund të jetë e saktë.

Nëpërmjet këtyre postimeve, ne po përpiqemi t’ju krijojmë mundësinë të hyni në brendësi të këtij provimi; kuptohet që kaq nuk mjafton për t’i njohur të gjitha kleçkat e provimit. Shumë shpesh, mënyra më e mirë për të arritur synimin tuaj në testim është prania në një grup përgatitor për provimin e IELTS-it. Vetëm kështu mund të mësoni nga profesionistët se ku duhet të kushtosh më shumë vëmendje, si ta menaxhosh kohën dhe si të rritësh shpejtësinë e perceptimit në provim.

Unë jam mësuese anglishteje prej vitit 2007 dhe drejtuese e qendrës së kurseve Smart Center prej po kaq kohësh. Gjatë këtyre viteve jam aftësuar në mësimdhënien e të gjitha grupmoshave dhe niveleve dhe jam veçanërisht e apasionuar për të mësuar studentët fillestarë të flasin anglisht në një kohë shumë të shkurtër.

Leave a Comment

*

*