First Certificate in English

000a ready for fce december edition cl book front

Ditën e martë 28 Korrik 2009, Elda 17 vjece, Gesi 15 vjec, Xhoana 13 vjece, Anxhela 17 vjece dhe Klara 23 vjece do jenë pjesë e kursit më të ri në Smart Center; atij përgatitor për provimet e Cambridge, dhe më konkretisht provimit të FCE-së (First Certificate in English). Jam shumë entuziaste për këtë grup, pasi shumica e tyre kanë nisur të mësojnë dhe të flasin anglisht këtu tek ne.

Duke u nisur nga pyetjet e shumë kursantëve të mi, si dhe duke parë se ka paksa mungesë informacioni rreth këtij provimi shumë të rëndësisshëm, mendova qe të shkruaj diçka rreth tij, duke u bazuar, sigurisht, tek burimet zyrtare të këtij provimi. Më poshtë do gjeni përgjigjet e pyetjeve që kanë në kokë ata që synojnë të arrijnë rezultate maksimale në këtë provim.

Pse na shërben kjo certifikate?

FCE-ja është një provim që i përket nivelit mbi-mesatar. Është ideal nëse synoni të punoni jashtë shtetit, apo nëse synoni një profesion që ka lidhje me anglishten (vështirë të gjendet një profesion që s’është i lidhur ngushtë me këtë gjuhë). Duke qënë një certifikatë ndërkombëtare, FCE-ja të hap dyert në shumë aplikime për punë që mund të bëni këtu në Shqipëri.

A bën FCE-ja për mua?

A mund të…

– Kuptosh tekste të llojit dhe burimeve të ndryshme?
– Mbash shënimë në anglisht teksa dikush po flet në anglisht?
– Flasësh për një sërë temash?
– Kuptosh kur njerzit flasin anglisht në radio apo programe televizive?

Nëse e gjeni veten në pikat e mësipërme, apo nëse po synoni të arrini pikërisht këto cilësi, atëherë mos ju ndani FCE-së.

Si do të më shërbej FCE-ja?

FCE-ja është një provim që zhvillohet nga një ndër universitetet më të famshëm dhe cilësorë, sikurse është Universiteti i Cambridge-it. Marrja e një prej certifikatave të këtij universiteti është një arritje dhe një shpërblim në vetvete. Por, sidoqoftë, ka edhe më shumë përfitime se kaq:

– FCE-ja është një certifikatë ë vlefshme për tërë jetën (nuk është e nevojshme t’i rinënshtroheni testimit pas dy vjetësh, sikurse ndodh me provimin e TOEFL-it).
– FCE-ja është certifikatë komplet ndërkombëtare, e njohur në gjithë botën për qëllime studimesh apo biznesi.
– Me mijëra punëdhënës, kompani dhe universitete e njohim FCE-në zyrtarisht si një kualifikim në nivelin mbi-mesatar të gjuhës angleze.
– Aftësitë që FCE-ja ju mundëson, ju japin besimin për ta përdorur anglishten lirshëm, rrjedhshëm dhe automatikisht.

Cfarë përfshin FCE-ja?

Ky provim është i ndarë në pesë pjesë:

Reading (Të Lexuarit): 1 orë
Duhet të jeni në gjendje të kuptoni informacione nga tekste te shkëputura nga romane, gazeta, revista, si dhe burime të tjera.

Writing (Të Shkruarit): 1 orë e 20 minuta
Këtu duhet të shfaqni aftësinë tuaj për të shkruar një histori të shkurtër, letër, artikull, raport, apo ese.

Use of English (Përdorimi i Anglishtes): 45 minuta
Në këtë pjesë të provimit do testoheni rreth njohurive leksikore apo gramatikore që zotëroni.

Listening (Të Dëgjuarit): 40 minuta
Duhet të shfaqni aftësitë tuaja në të kuptuarit e një sërë materialesh dëgjimore duke përfshirë këtu lajme, fjalime, histori dhe anekdoda si dhe lajmërime të ndryshme publike.

Speaking (Të Folurit): 14 minuta

Testi i të folurit do të zhvillohet bashkë me një tjetër kandidat, ose mund të jeni edhe 3 kandidatë së bashku. Ju do të testoheni për aftësitnë tuaj në pjesëmarrjen në bashkëbisedime të ndryshme: me personin që ju teston, me kandidatët e tjerë si dhe me veten tuaj (duke folur për veten).

Provimi zhvillohet në Tiranë dhe është i ndarë në dy ditë; ditën e parë testoheni në Reading, Writing dhe Use of English, ndërsa dita e dytë i rezervohet pjesës së Listening dhe Speaking. Në total ky provim ka 200 pikë. Secila prej pjesëve ka 20% të rezultatit përfundimtar, më saktë 40 pikë. Nëse nuk vlerësoheni mirë në një prej këtyre pjesëve, nuk do të thotë se do ngelni në të gjithë provimin; ai që ka rëndësi është vlerësimi i përgjithshëm (mbledhja e të pesë pjesëve). Notat kaluese janë A, B dhe C; ndërsa D dhe E janë nota ngelëse. Për të kaluar këtë provim, duhet të arrini mbi 60% të provimit.

Elda, Gesi, Xhoana, Anxhela dhe Klara, uroj që informacioni i mësipërm t’ju ketë qartësuar idetë dhe t’ju ketë dhënë dhe juve të njëjtin entuziazëm që kam unë për ju në lidhje me këtë kurs! Doja t’ju thoja se jeni studentë të shkëlqyer, nga ata tek të cilët e shoh progresin çdo ditë, dhe nga ata që që më bëjnë të ndihem shumë krenare dhe entuziaste. Ju uroj vullnet dhe shumë suksese për ditën e madhe!